A është Gjermania e vetmja përfituese e krizës?

0
26

Në Gjermani nuk ndjehet shumë nga kriza e euros. Disa madje i mbajnë gjermanët si përfitues të krizës, që fitojnë nga problemet e të tjerëve. Sa qëndron kjo tezë?
Ndërsa në vendet në jug të eurozonës kriza është bërë një gjendje e zakonshme, në Gjermani situata duket ndryshe. Ish-kampionja e botës në eksport ende shkëlqen me një suficit tregtar, mallrat e saj janë të kërkuara në të gjithë botën. Rritja ekonomike e saj është e qëndrueshme, tregu i saj i punës robust. Ministri i Financave është i kënaqur me të ardhurat e larta tatimore dhe buxheti duket se do të jetë i balancuar.

Vuajtja e njërit, gëzimi i tjetrit?
Shpesh dëgjon të thuhet, se kjo nuk është çudi. Për shembull euroja e dobët ul çmimin e eksporteve gjermane dhe mungesa e bonitetit të shumë vendeve të tjera të eurozonës ka shkaktuar një kërkesë të madhe për bonot gjermane. Kjo bëri që vitin e kaluar të jepeshin letra gjermane me vlerë me norma interesi negative. Investitorët paguajnë madje, që të lejohen t’i japin hua paratë Gjermanisë.
Dhe më e mira, thonë përkrahësit e teorisë të përfitimit nga kriza, nuk ka ardhur akoma: sikur kriza të kapërcehet dhe kandidatët e falimentimit ta marrin veten në skajin jugor të Evropës, ata do të mund t’i kthejnë kreditë, që u ka dhënë Brukseli, kur kanë qenë në vështirësi. Gjermania, si donatori më i madh i BQE-së, EFSF-së dhe ESM-së, mund të gëzohej pastaj çdo vit për të ardhura shtesë në vlerë miliardash.

Ministri i Financave mund të gëzohet
A konsiderohet Gjermania fituese e krizës në Evropë? “Pjesërisht po, pjesërisht jo,” thotë Heike Joebges, ekonomiste në Universitetin Teknik dhe Shkencor (HTW) në Berlin. është e vërtetë megjithatë, se Gjermania “në krahasim me vendet e tjera konsiderohet si një port i sigurtë dhe kjo është arsyeja, se përse obligacionet qeveritare gjermane blihen me aq dëshirë. Për këtë arsye renditet kanë rënë dukshëm”. Kështu Ministri i Financave të Berlinit përfiton nga kriza e euros. Joebges thotë në bisedë me DW, se ne “paguajmë vetëm një të tretën e asaj, që na është dashur të paguanim para krizës.”
Profesori i ekonomisë nga Tübingeni, Joachim Starbatty, e sheh çështjen ndryshe: Sipas tij, kërkesa për obligacionet e qeverisë gjermane, është rezultat i arratisjes së kapitalit nga vendet në krizë. Përparësia në dukje ekonomike, që Gjermania ka nga ikja e një kapitali të tillë, së shpejti do të zhduket. Sepse në këtë largim të kapitalit, thotë Starbatty për DW, “ne duhet t’i kthejmë paratë në mënyra të tjera, për shembull në formën e paketave të shpëtimit.”
Starbatty e konsideron çështjen, nëse Gjermania po përfiton nga kriza, përgjithësisht një “perspektivë të rreme.” Ai e sheh problemin në thelb: “Ata kanë jetuar përtej mundësive të tyre dhe kjo tani u hakmerret. Bankat ndodhen thellë në borxh, firmat gjithashtu. Njerëzit kanë shpenzuar shumë para, shtetet kanë shpenzuar shumë para. Dhe tani kjo para duhet të rifitohet.”

Situata do të përmirësohet, sepse duhet të përmirësohet

Ekonomistja nga Berlini Joebges thekson se fitimi më i madh i Gjermanisë do të jetë kapërcimi i krizës: “Nëse vendet do ta kthejnë ndihmën e shpëtimit, ne në fund do të kemi një fitim të madh.” Tek ky argument eurokritikut Starbatty i duhet të marrë frymë thellë. “Është si të shpresosh për një ditë, që nuk vjen kurrë.” Ai nuk pret, që kandidatet evropianë për falimentim ta marrin veten së shpejti.
Heike Joebges nuk është aq pesimiste. Kriza do të tejkalohet, sepse ajo duhet të kapërcehet, të paktën nga perspektiva gjermane: “Kritikët më të mëdhenj duhet ta kenë gjithmonë parasysh se Gjermania, si një vend kreditor, është shumë i interesuar, që kriza të kapërcehet. Dhe nëse stabilizimi i vendeve të krizës do të arrihet, atëherë nga kjo priten një sërë të ardhurash shtesë.”

Vlerësimi i euros bekim dhe mallkim
Heike Joebges përmend edhe një tjetër arsye, përse Gjermania është në gjendje kaq të mirë gjatë krizës: Dobësia e vendeve të Evropës jugore, të kërcënuara nga falimentimi, ka bërë që monedha e përbashkët të jetë relativisht e dobët. Euro kohët e fundit ka humbur disi në vlerë kundrejt dollarit. Kjo, thotë Joebges, i vjen përshtat kombit eksportues, Gjermanisë. Nëse euro do të kishte më shumë vlerë, kjo do të shtrenjtonte eksportet dhe do ta ngarkonte ekonominë gjermane, që varet nga eksportet.
Dhe pa euron, thotë ekonomistja e HTW në Berlin, gjermanët do të vuanin më shumë nga kriza në Evropë, sepse sikur “Gjermania të kishte ende markën gjermane, vlera e saj do të rritej shumë dhe ne do të ishim në gjendje të kishim eksporte të larta.”
Për Joachim Starbattyr ky nuk është një argument bindës: “Gjermania ka qenë gjithmonë vend me monedhë të fortë. Rritja e vlerës së parasë nuk është në parim diçka e padëshirueshme, sepse çdo rritje e vlerës rrit fuqinë blerëse të konsumatorëve vendas, të fuqisë punëtore vendase.” Kjo nga ana e vet do të nxisë zhvillimin ekonomik në Gjermani. Një rritje e vlerës mund të jetë më shumë një bekim, se sa një mallkim./dw

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here