Ndihmat sociale të pamjaftueshme për përmbushjen e nevojave

0
64

Në Kosovë janë rreth 31 mijë familje me 148 mijë anëtarë që përfitojnë ndihmë sociale prej 40 deri në 80 euro në muaj.

Përfituesit e këtyre ndihmave thonë se ato janë të pamjaftueshme për përmbushjen e nevojave më elementare. Ndërkohë, zyrtarët e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, thonë se kërkesa e familjeve të tilla, ka shënuar një rënie të vogël.

Për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike e sociale, shumë familje në Kosovë mbështeten me ndihma sociale nga shteti. Por shuma që marrin ata, nga 40 deri në 80 euro në muaj, vlerësohet është shumë e ultë për të mbuluar koston e jetesës.

Jashar Llumnica, i cili ka familje tre-anëtarëshe, thotë se ndihma prej 55 eurosh në muaj, është e pamjaftueshme për të mbuluar nevojat më elementare.

“Është vështirë shumë, por me një ndihmesë të dikujt ia del, se vështirë me 55 euro, për një person në muaj janë të pamjaftueshme, e jo për tre. Është vështirë se ne kemi rrymë, mbeturina, ushqimi, 200 me i pasë nuk dalin. Na ndalin rrymën, edhe pse jam me asistencë sociale dhe person i verbër”, tha ai për Radio Kosovën.

Edhe Zymer Krasniqi, një tjetër banor i Prishtinës që jeton me ndihma sociale bashkë me familjen e tij gjashtë anëtarëshe, ankohet për shumën e vogël që marrin, krahasuar me nevojat që kanë.

“Të ardhura kam vetëm ndihmën sociale, 75 euro, veç Zoti e din se nuk e beson as qeveria, askush tjetër si mundet një familje gjashtë anëtarëshe me jetu me 75 euro. Që nuk na ndihmon edhe dikush prej të afërmve tonë është katastrofë për neve”, theksoi Krasniqi.

Dhënia e mbështetjes sociale për familjet e varfra bëhet në përputhje me Ligjin për skemën e ndihmës sociale në Kosovë, të miratuar në vitin 2003 dhe të plotësuar në maj të vitit 2012, thotë Behxhet Gaxhiqi, këshilltar i ministrit të punës dhe mirëqenies sociale.

“Nëse i referohemi statistikave, brenda kësaj periudhe gjithsej janë 31 mije e 111 familje në asistencë sociale, me 148 mijë anëtarë. Fondi total nuk ka ndryshuar, kuotat janë 28 milionë të planifikuar për vitin 2013, ashtu sic ka qenë edhe vitin e kaluar dhe kjo ndarje bëhet konform rregullave dhe buxhetit, sic e parasheh planifikimi buxhetor për vitin 2013”, tha ai për transmetuesin publik.

Të drejtë për të përfituar asistencë sociale kanë personat që nuk kanë marrëdhënie pune dhe që përmbushin edhe një varg kriteresh tjera. Gaxhiqi thotë se gjatë periudhës pesëvjeçare numri i përfituesve të ndihmave sociale ka pësuar rënie nga viti në vit.

“Në vitin 2007 numri i familjeve që kanë jetuar me ndihma sociale ka qenë 37 mijë e 500 familje, në vitin 2008/2009 numri i tyre ka rënë në rreth 35 mijë, një vit më vonë në 34 mijë kurse aktualisht janë 31 mijë sosh”, thekson Gaxhiqi.

Përfituesit e ndihmave sociale kërkojnë që shuma e ndihmave sociale të rritet sa më parë dhe familjet e varfra të mbështeten edhe me ndihma tjera. Por zyrtarë të Ministrisë thonë se rritja nuk është planifikuar të ndodhë as gjatë këtij viti.

Ndryshe, nga numri i përgjithshëm i familjeve që përfitojnë ndihma sociale, rreth 77 për qind janë shqiptarë, 11 për qind serb, kurse pjesa tjetër pjesëtarë të minoriteteve tjera. Ndërkaq komuna që përfiton më shumë është Prishtina, ku është i përqendruar numri më i madh i popullatës.kohaislame

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here