2/3 E punëtorëve mbeten pa punë nga privatizimi në distribucion e miniera

0
43

Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) në një tryezë diskutoi rreth projekteve energjetike në Kosovë dhe ndikimit të tyre në punësim. Kjo tryezë kishte për qëllim shtjellimin e shqetësimeve të punëtorëve dhe banorëve të Obiliqit në lidhje me gjendjen aktuale dhe krijimin e vendeve të punës në sektorin energjetik.
“Krijimi i vendeve të punës është një çështje veçanërisht e ngutshme për Kosovën si vend i cili po përballet me normë papunësie të lartë (prej 46%), andaj duhet adresuar sa më parë ndikimi që projektet energjetike do kenë te punëtorët dhe në punësim në përgjithësi,” ka thënë Rinora Gojani, hulumtuese në INDEP, shkruan Koha ditore.
Me një normë papunësie prej 46% dhe një normë të ulët punësimi (29 %), Kosova ka ritmin më të dobët të punësimit në Evropë. Me këtë trend dhe me projektet e deritashme energjetike, me privatizimin e distribucionit dhe minierave, deri në dy të tretat e punonjësve të tanishëm do të mund të largohen nga puna.
Ndërsa Edmond Nulleshi, nga KEK, potencoi se nga 7500 të punësuarit në Korporatën Energjetike të Kosovës, 2730 parashihet të kalojnë në distribucion. Këtyre punëtorëve i është garantuar punësim për tri vitet e ardhshme në marrëveshjen e Qeverisë së Kosovës me kompanisë privatizuese.
Izet Mustafa, Kryetar i SPEK, foli në lidhje me mungesën e debatit të mirëfilltë për shqetësimet e punëtorëve të cilat vijnë si rezultat i zhvillimeve të projekteve energjetike në vend. Mustafa gjithashtu tha se me projektet e privatizimit në fushën e energjisë është duke u rrezikuar numri i punëtorëve të tanishëm. Ai veçoi brengat rreth marrëveshjes së Qeverisë me kompaninë privatizuese për garantimin e punësimit për tri vite duke theksuar se duhet të mendohet se çfarë do të ndodhë me këta punëtorë pas kësaj periudhe.
Diskutimi është organizuar nga Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) dhe është mbështetur nga Ambasada Holandeze në Kosovë. /Indeksonline/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here