Fluks turistësh të huaj në Valbonë

0
48

Vetëm pak ditë me mot të mirë kanë mjaftuar që dhjetëra turistë të huaj të vizitojnë pikën turistike të Valbonës.

“Këto ditë kemi një fluks të madh turistësh të huaj. Janë rreth 350 turistë nga Gjermania, Polonia, Çekia, etj, që prej disa ditësh janë të pranishëm në Valbonë”, bën të ditur kryetari i komunës së Margegajt, Rexh Biberaj.

Edhe pse janë vetëm ditët e para të këtij viti, në pikën turistike të Valbonës turistët e huaj janë të pranishëm, madje në numër të shtuar në krahasim me praninë e tyre në natën e vitit të ri.

Prej disa vitesh, prania e turistëve të huaj në pikën turistike të Valbonës edhe në periudhën e dimrit është bërë e zakonshme.

Valbona pa mysafirë të huaj tashmë rrallë herë gjendet. Kryesisht në ditët e fundit të janarit e të fillim shkurtit. Më pas ashtu si gjithnjë numri i mysafirëve të huaj vjen duke u rritur.

Ndërkohë, për shkak të të ftohtit, kryesisht turistët strehohen në shtëpitë e banorëve vendas, ku gjejnë gatimin karakteristik. “Në këtë periudhë fjetja e turistëve kryhet kryesisht në banesat e banorëve vendas, ku gjejnë mikpritjen karakteristike dhe gatimin vendas, që i tërheq aq shumë”, thotë Biberaj.

Ndërsa moti i mirë i këtyre ditëve ka ndikuar në afrimin e një numri të konsiderueshëm vizitorësh ditorë nga Kosova. “Numri i tyre për shkak se lëvizin çdo ditë nuk është i verifikueshëm, ndonëse çdo ditë numri i tyre lëviz nga 50-80 vizitorë”,- thotë Biberaj.

Numri në rritje i turistëve në këtë fillimviti është një ogur i mirë i rritjes së interesit të turistëve të huaj për Valbonën, një tregues që do të vijë në rritje me ardhjen e pranverës.

Ka ardhur nga viti në vit në rritje numri i turistëve të huaj, që vizitojnë Valbonën. Kështu vitin e kaluar numri i turistëve, që kanë vizituar pikën turistike të Valbonës ka arritur në rreth 35 mijë turistë gjithsej./trt

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here