Si mund të jetohet me 1,5 euro në ditë në Kosovë?

0
57

Papunësia ka rritur përqindjen e varfërisë në Kosovë. Të prekura më shumë janë familjet e mëdha, aty ku ka numër të madh të të papunëve në familje, si edhe personat me shkallë të ulët arsimore e femrat kryefamiljare.
Ajshe Krasniqi me banim në Prizren po i rrit të katër fëmijët e saj me mundim. Megjithëse e veja e një punëtori të dikurshëm, ajo nuk gëzon asnjë lloj pensioni dhe i vetmi burim ekzitence me te cilin shtyn një ditë në tjetrën janë ndihmat e njerëzve vullnetmirë.« Jetoj me social, me ndihma qysh mundem. Kurrqysh…Me 60 euro. As bukë s´po del me u ngi! Çka me ba ?! Burri m´ka vdek 59 vjet. Tash pension as kurrgja. Jetë e vështirë me katër jetima…Vec kush na njeh, dikush miell, dikush vaj, e po kalojmë. Mos me na ndihmu populli, na veç me vdek… ».

Servete Krasniqi nga Juniku me bashkëshortin dhe të pesë fëmijët, e cila që 13 vjet jeton si e pastrehë thotë se : «Jetojmë diqysh, si n´baraka ma. Kush t´na zgjat dorën, si sot. Kemi kërku zgjidhje qe 13-të vjet. Komuna ende s´ka zgjidhje për ne. Tash po presim kush t´na zgjat doren, e kurgja ´kmi ble, as tesha për fmij a kurrgja hiç, ishallah ka diçka për fmij e i gëzojmë nga pak ».
Asistenca sociale jo gjithmonë mbërrin atje ku ka vërtet nevojë

Mejreme Hadërgjonajt, 73 vjeçare nga komuna e Deçanit, megjithëse e sëmurë dhe me bashkëshortin invalid, i është ndërprerë ndihma sociale. «S´marrim kurrnjisend veç pensionit. Përpara kemi mar e qe tri vjet jo. As s´ka ardhë kush me na pa veç juve, pasha kryet e vllaznive ! » Edhe jeta Sahit Loshajt nga Carrabregu, është e rëndë. Ai jeton me bashkëshorten e të pesë fëmijët me një pension prej 45 eurosh. « Mos vet hicç! Gja s´kam veç pak tokë e po mundohna me nxjerr diçka,e boll pak. Vallahi, ma në nevojë s´asht kush,veç s´kam mujt me i thanë kujt gja. Jo vallahi ! »

Sipas statistikave të Bankës Botërore, rreth 34-48 për qind e qytetarëve të Kosovës jetojnë nën kufirin e varfërisë, kurse 12 për qind në varfëri të skajshme. Përqindja e varfërisë është më e lartë në familjet e mëdha, në amvisëritë me numër të madh të të papunëve, tek ata me shkallë të ulët të arsimit dhe te kryefamiljaret femra. Sipas Nora Sahatçiut, eksperte për Koordinim e OKB-së, në Prishtinë :« Megjithëse të dhënat janë të tre viteve paraprake dhe Banka Botërore së shpejti pritet të dalë me statistika të reja, aktualisht kemi një fluks në mes të 34 për qind dhe 48 për qind të varferisë relative, dmth njerëz, që jetojnë me 1.5 euro në ditë, kurse varfëria e skajshme me ata që jetojnë me 90 cent ne ditë është 12 deri në 14 për qind. Të dhënat ndryshojnë varësisht nga agjencitë e OKB-së dhe janë bërë para regjistrimit të popullsisë më shifra të përafërta. Por, Banka Botërore do të dal me raport të ri në nëntor të këtij viti».

Indikatorë të shumtë të varfërisë në Kosovë
Sipas koordinatores Sahatçiu, arsyet përse Kosova ballafaqohet me shifra të tilla varfërie janë resurset e limituara financiare dhe kriza globale. «Por, jo gjithmonë problemet zgjidhen me të holla. Shumë gjëra, të cilat mund t´i bëjmë me burimet ekzistuese financiare dhe natyrore . Pengesat më të mëdha janë ligjet, të cilat edhe pse të përpiluara me standardet më të reja evropiane nuk po zbatohen si duhet në nivel lokal. Prandaj ka ngecje në përafrimin e jetës së dinjitetshme për qytetarët e Kosovës ».
Sipas Ministrisë për Punë dhe Mirëqenien Sociale, familjet me nëna kryefamiljare, niveli i ulët i arsimimit dhe mungesa e zhvillimit të zonave të thella, janë faktorë të rritjes së varfërisë. Por bazuar në zvogëlimin e numrit të familjeve që përfitojnë nga asistenca sociale, ka rënie të varfërisë krahasuar me të kaluarën, pohon Behxhet Gaxhiqi, këshilltar në MPMS të Kosovës. « Në vitin 2008 kemi pas 37,000 familje me asistencë sociale, ndërsa tash i kemi 32 000, pra 5000 me pak. Kjo ka ndodh pas një verifikimi të saktë nga Qendra për Punë dhe Mirëqënie Sociale të familjeve të cilat me të vërtet i plotësojnë kriteret ».

Papunësia kap shifra rekord në Kosovë
Inflacioni në rritje dhe papunësia thellojnë varfërinë
Inflacioni pothuajse i trefishuar në muajt e fundit dhe shkalla e papunësisë prej 45 për qind në rritje e sipër me 73 për qind tek te rinjte – 57 per qind te femrat dhe 41 per qind te meshkujt, thellojnë varfërinë. Ndërsa, përpjekjet per zvogëlimin e këtyre shifrave, qoftë me donatorë apo me buxhetin e qeverise, vazhdojnë, thotë z.Gaxhiqi. »Me buxhetin e qeverisë por edhe me mbështetjen e donatorëve, si Banka Botërore, Komisioni Evropian, UNDP etj., me projekte për punësim të qëndrueshëm ne po arrisim të zbusim numrin e lartë të papunësisë dhe me këtë edhe të varfërisë, në përpjekje të vazhdueshme për ngritjen e mirëqënies së qytetarëve tanë».
Në vazhdën e përpjekjeve të mobilizimit të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare për t’i dhënë fund varfërisë në Kosovë, organizata dhe agjenci të ndryshme të Kombeve të Bashkuara me moton « Vetëm me zërin dhe veprat tuaja, së bashku mund t’i japim fund varfërisë » shënuan për të 7-tën herë Javën për Luftimin e Varfërisë./dw

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here