Maqedonia në kaos dhe depresion ekonomik

0
39

Indeksi i shpenzimeve të jetesës, normat e varfërisë, nivelet e papunësisë dhe normëa e inflacionit tregojnë shenja të përkeqësimit të gjendjes ekonomike në Maqedoni.

Për shembull, gazeta londineze “The Economist” kombinon nivelin e papunësisë dhe normën e inflacionit për të llogaritur të ashtuquajturin Indeksin e Mizerjes. Duke përdorur këtë metodë, “The Economist”, në fillim të vitit 2012 tregoi se në Maqedoni jetohet jetë më e varfër në botë.

Në konkurrencë me 92 vende tjera, Maqedonia e meritoi vendin e parë, për shkak të papunësisë enorme dhe inflacionit të lartë.

E njëjta pasqyre është dhënë edhe nga Instituti për demokraci sociale “Progres”, pas anketës së fundit telefonike, ku janë përfshirë 1116 të anketuar.

Sipas këtij instituti, tre të katërtat e familjeve në Maqedoni mund të mbulojnë me buxhetin e tyre mujor vetëm shpenzimet për ushqim dhe faturat e shtëpisë. Më shumë se gjysma e qytetarëve konsiderojnë që pushteti e shpenzon buxhetin në dobi të tij dhe jo në dobi të qytetarëve, ndërsa dy të tretat e qytetarëve mendojnë se qeveria po e menaxhon keq problemin e varfërisë dhe të papunësisë.

Bie bruto-prodhimi vendor

Në tremujorin e dytë të këtij viti, ekonomia e Maqedonisë ka shënuar rënie për 0.9 për qind. Të dhënat për rritjen negative të bruto-prodhimit vendor, janë dhënë zyrtarisht nga Enti Shtetëror i Statistikës, por, tashmë rënia e ekonomisë vendore është pranuar edhe nga drejtuesit e institucioneve shtetërore.

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Financave, Zoran Stavreski tha se, Qeveria e ka parashikuar BPV negativ në tremujorin e dytë të vitit dhe i ka ndërmarrë të gjitha masat e domosdoshme.

“Në këtë fazë qeveria mbetet e orientuar ndaj gjetjes së zgjidhjeve që shikojnë përpara, ndaj përkrahjes së ekonomisë, mbrojtjes së biznes bashkësisë, qytetarëve dhe kategorive sociale, deklaroi Stavreski.

Ai theksoi se, për Qeverinë në këtë periudhë është më me rëndësi t’i ndihmohet ekonomisë, të përmirësohet likuidieti i saj, të mbrohen pagat e të punësuarve dhe të mos ketë largime më të mëdha.

“Informata që e publikoi Enti shtetëror për statistikë për tremujorin e dytë të vitit ishte në ndonjë mënyrë e pritur dhe paraprakisht e paralajmëruar edhe nga ana e jonë. Qeveria vërejti në pritjet se tremujori i dytë do të jetë negativ. Për këtë shkak ka ndërmarrë masa me të cilat ka intervenuar në disa sfera”, është shprehur Stavreski.

Sipas tij, rënia ekonomike në Evropë, po ndikon edhe në vendet e rajonit.

“Eurozona është në recesion me minus 0.8 për qind në kuartalin e dytë, njëjtë sikur Maqedonia. Në fakt, kjo tregon se ka ndërlidhje të plotë dhe pasoja nga ndodhitë në eurozonën mbi Maqedoninë, dhe këtu të gjitha vendet në fqinjësi janë në gjendje negative. Kjo është arsyeja për shkak të cilës Maqedonia, e cila është tërësisht e orientuar kah ekonomia evropiane, në dy kuartalet e para kishte shkallë negative”, ka shtuar Stavrevski.

Sipas të dhënave të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Maqedonia ka shkallën më të lartë të papunësisë. Në vitin 2012 ajo ka arritur në 31.2 për qind. (M.Mellova/INA)/kohaislame

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here