Banesat në pronësi shoqërore shiten me çmime simbolike

0
60

Me mijëra banesa në pronësi shoqërore, për të cilat ekziston e drejta banesore, duhet të shiten deri në janarin e vitit 2014, ashtu siç parashihet në Ligjin për Shitjen e Banesave.

Banesat që janë në pronësi shoqërore do të shiten nga Agjencia Kosovare e Privatizimit, kurse banesat në pronësi të institucioneve të tjera publike do të shiten nga të njëjtat, siç janë Policia, komunat, KEK-u apo Aeroporti, shkruan sot “Koha Ditore”.

Mrika Tahiri, zëvendësdrejtoreshë e AKP-së, ka thënë se fillimi i shitjes së këtyre banesave është një proces shumë i rëndësishëm, pasi nis rregullimi i çështjeve të pronësisë për personat me të drejtë banesore që nga paslufta.

Sipas ligjit në fuqi mjetet që do të vijnë nga shitja e banesave në pronësi shoqërore do të derdhen në xhirollogarinë e ndërmarrjes shoqërore sipas Ligjit për privatizim të AKP-së, kurse ato në pronësi publike derdhen në Buxhetin e Kosovës. E çmimi i këtyre banesave është simbolik dhe kalkulohet në bazë të një formule që është dhënë në Ligjin për Shitjen e Banesave, për të cilat ekziston e drejta banesore e që ka hyrë në fuqi në janar 2012: 1. Çmimi bazë për përllogaritjen e çmimit të shitjes për banesa është njëqind (100) euro për m2. Mirëpo, për përcaktimin e çmimit të shitjes bëhet kalkulimi i koeficientit të lirimit në bazë të vjetërsisë së banesës.

Me këtë ligj rregullohen kushtet dhe mënyra e shitjes së banesave në pronësi shoqërore dhe publike, për të cilat ekziston e drejta banesore apo e drejta e shfrytëzimit me qira për kohë të pacaktuar, së bashku me pjesët e përbashkëta dhe pajisjet e ndërtesës, si dhe mënyra e përcaktimit të çmimit shitës të banesës dhe shuarja e së drejtës banesore.

“Agjencia Kosovare e Privatizimit, bazuar në nenin 7, paragrafi 2.2, të Ligjit për Shitjen e Banesave, për të cilat ekziston e drejta banesore nr. 04/L-061, ka mandat për shitjen e banesave në pronësi shoqërore, që llogaritet të jenë me mijëra banesa në pronësi shoqërore. Pra, banesat të cilat janë dhënë në shfrytëzim nga ndërmarrjet shoqërore”, ka thënë Ylli Kaloshi, zëdhënësi i Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Më 27 shkurt të vitit 2012, Bordi i drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) ka miratuar vendimin për themelimin e komisionit për shitjen e banesave në pronësi të ndërmarrjeve shoqërore. Ndërsa më 13 prill 2012, AKP-ja ka publikuar njoftimin publik për shitjen e banesave për të cilat ekziston e drejta banesore. Ky njoftim është publikuar në të gjitha gazetat ditore në Kosovë, si dhe në Serbi dhe në Mal të Zi.

Deri më tani AKP-ja, sipas tij, ka pranuar gjithsej 289 kërkesa për blerjen e banesave. Këto kërkesa janë pranuar nga data e publikimit të njoftimit./koha/kohaislame

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here