Kompani ndërkombëtare, në garë për ringjalljen e A2-shit

0
48

Korporata Energjetike është rrugës për të kthyer në jetë njësinë A2 të termocentralit “Kosova A”. Nëse agjenda e KEK-ut nuk pëson ndonjë ndryshim, emrin e kompanisë, e cila do të investojë në këtë njësi do ta mësohet në vjeshtë. Në KEK thonë se për të investuar në këtë njësi janë të interesuara kompani me renome ndërkombëtare. Llogaritet që nevojiten afërsisht 100 milionë euro investime për të ringjallur këtë njësi.

Zyrtarja për informim e KEK-ut, Eglantina Hoxha, ka thënë se projekti për rehabilimin e njësisë A2 të TC “Kosova A” është duke shkuar sipas procedurës së tenderit të hapur të shpallur sipas Ligjit të prokurimit publik.

Hoxha ka thënë se KEK-u do të presë oferta deri në fund të muajit gusht. Mirëpo, sipas saj, afati edhe mund të prolongohet nëse vijnë kërkesa për zgjatje të afatit.

“Sipas afateve aktuale, dhe nëse nuk ka ndërkohë kërkesë të bazuar për shtyrje të afateve nga operatoret e interesuar, pritet që dorëzimi i ofertave për aktivitetin e rehabilitimit të Njësisë A2 të “TC Kosova A”, të bëhet në fund të muajit gusht”, ka thënë Hoxha.

E shpallja e fituesit do të bëhet në vjeshtë. “Pas pranimit të ofertave, do të bëhet shqyrtimi, analizimi dhe vlerësimi i ofertave nga komisionet profesionale dhe përgjegjëse të KEK-ut, të cilat do të dalin me rekomandimet e tyre, konform Ligjit të prokurimit”, ka thënë Hoxha.

Megjithëse janë shfaqur shumë dyshime për aftësinë e kësaj njësie, duke pasur parasysh pushimin për më shumë se 10 vjet, prapëseprapë KEK-u thotë se ka shumë kompani të interesuara që të investojnë.

“Duke marrë parasysh se në këtë moment të aktivitetit të prokurimit, faza e konkurrimit është ende e hapur, është e papërshtatshme të flitet më tepër për numra apo emra konkretë. Sido që të jetë, numri i operatorëve të interesuar deri tani është mjaft i konsiderueshëm, duke përfshirë dhe shumë kompani me renome ndërkombëtare”, ka thënë Hoxha.

Ideja për rehabilitimin e njësisë A2 kishte ardhur në mënyrë zyrtare me rastin e aplikimit për tarifat e vitit 2012/2013. Korporata Energjetike e Kosovës kishte thënë se rehabilitimi i njësisë A2 do të bënte Kosovën të pavarur prej importit të energjisë elektrike. E importi i energjisë sipas KEK-ut ka dalë të jetë shumë i shtrenjtë në të kaluarën.

Rivitalizimi i Bllokut A2 do të bëhet përmes partneritet publiko-privat. KEK-u e ka paraparë që kompania fituese e tenderit të investojë në këtë njësi për një rivitalizim të plotë. E KEK-u planifikon që për një periudhë 60-mujore, apo 5 vite t’ia kthejë mjetet e investuara kompanisë investuese. Punët në riaktivizimin e këtij blloku pritet të zgjasin afërsisht 7 muaj nga dita e fillimit të punimeve.

“Me lëshimin në funksion do të kemi edhe 100 megavat të tjerë në dispozicion, të cilat do të na mundësojnë një stabilitet të sistemit të energjisë dhe të mirëmbajtjes së blloqeve, do të zvogëlojë në sasi minimale energjinë e importuar nga vendet e treta, do t’i mbajë kostot e tarifave në nivelin aktual, mundësisht për disa vite dhe mbi të gjitha konsumatorët do të furnizohen në mënyrë të bollshme”, kishte thënë Gjukaj, me rastin e prezantimit të projektit për ringjalljen e kësaj njësie.

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë i kishte bërë të qartë KEK-ut se çfarëdo investimi që do të bëhet në TC “Kosova A”, ajo duhet të mbyllet deri në fund të vitit 2017.

“Për më tepër, këto investime pa dyshim se nuk janë të mjaftueshme për t’i realizuar standardet e Bashkimit Evropian dhe nuk duhet të jenë një argument kundër mbylljes së “Kosovës A” deri më 2017”, thuhet tutje në përgjigjen e Zyrës së BE-së.

Kjo zyrë edhe njëherë e ka përsëritur se zotimet dhe përkrahja financiare e BE-së do të varen kryekëput nga përmbushja e standardeve të BE-së, e një nga këto është mbyllja e “Kosovës A”, e cila del edhe nga Traktati i Komunitetit të Energjisë./koha/kohaislame

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here