Anulohet tenderi për aerofotografimin e Kosovës

0
99

– Organi Shqyrtues i Prokurimit ka gjetur shkelje ligjore në tenderin “Aerofotografimi i territorit të Kosovës”, i cili ishte iniciuar nga Agjencia Kadastrale e Kosovës. Me shkeljet ligjore është pajtuar edhe Agjencia Kadastrale, prandaj me pajtueshmëri të palëve procesi i prokurimit do të ritenderohet.

Ritenderimi i këtij procesi do të shtyjë edhe për një kohë fotografimin e territorit të Kosovës nga ajri, shkruan sot “Koha Ditore”. Kjo shtyrje ndoshta do t’u shkojë për shtati atyre që planifikojnë të ndërtojnë, pasi ky fotografim ka për qëllim edhe identifikimin e ndërtimeve në tërë territorin e Kosovës të cilat pastaj do të trajtohen sipas Ligjit të ri të ndërtimeve, i cili është në proces të miratimit. Çdo ndërtim pas kryerjes së këtij fotografimi të territorit do të ketë masa më të ashpra për t’u legalizuar.

AKK-ja e kishte shpallur fitues të këtij tenderi konsorciumin “Geofoto-Zagreb, Cadcom – Zagreb, Cadcom – Rahovec”. Kriteri për dhënien e kontratës ishte caktuar “tenderi me çmimin ekonomikisht më të favorshëm”, kriter që përveç çmimit merr për bazë edhe nënkritere tjera. Si nënkriter kryesor ishte çmimi i cili peshonte 50 për qind. Përvoja specifike e kompanisë në realizimin e projekteve të ngjashme vlerësohej me 30 për qind të pikëve, ndërsa kualifikimet e stafit kyç lidhur me realizimin e detyrave të projektit vlerësohej në maksimum deri në 20 për qind të pikëve.

Ky konsorcium i kishte fituar 97.97 pikë, dhe kishte ofertuar një çmim prej 347 mijë e 458 eurosh. Kurse tenderi i përgjegjshëm me çmimin më të ulët ishte 333 mijë e 318, por që nuk ishte poentuar në maksimum në nënkriteret tjera dhe kishte marrë 9 pikë më pakë se konsorciumi fituese, apo i kishte fituar gjithsej 89 pikë.

Kundër këtij vendimi të AKK-së për të shpërblyer me kontratë konsorciumin kosovaro-kroat ishte ankuar kompani “Emi Harita” nga Turqia, në Organin Shqyrtues të Prokurimit Publik.

Gjykata e Tenderëve e kishte caktuar ekspertin shqyrtues, i cili kishte konstatuar se AKK-ja ka bërë shkelje ligjore gjatë këtij procesi të prokurimit.

“AKK-ja me rastin e zhvillimit të këtij aktiviteti të prokurimit, të procedura e ekzaminimit, e vlerësimit dhe e krahasimit të tenderëve në përgjithësi nuk është bërë konform Ligjit të Prokurimit Publik, prandaj konsideron se ankesa e operatorit ekonomik ankues është e bazuar”, thuhet në konstatimin e ekspertit shqyrtues.

Drejtori ekzekutiv i Agjencisë Kadastrale të Kosovës, Murat Meha, ka thënë se problemi ka qenë pikërisht të nënkriteret e caktuara. Ai ka thënë se janë pajtuar me mendimin e OSHP-së, pasi si organ ka kompetencë të gjykojë për proceset e prokurimit. Por, ai beson që nuk ka pasur ndonjë shkelje ligjore. Meha ka thënë se rilevimi aerofotogrametrik është shumë i rëndësishëm dhe si i tillë duhet të bëhet për çdo pesë vjet.

“Rilevimi aerofotogrametrik është i rëndësishëm për zbatimin e Ligjit të ndërtimit, sepse ligji që është në përfundim e sipër për ndërtime në territore dhe ka për qëllim që të identifikojë gjendjen e ndërtimit në terren, në mënyrë që të identifikohen të gjitha ndërtesat që nuk kanë leje. Por, njëkohësisht të dihet se cilat ndërtime do të bëhen në të ardhmen pa leje, e të cilat do të kenë një trajtim më rigoroz”, ka thënë Meha. /koha/kohaislame

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here