Kostoja e jetesës, dyfish më e shtrenjtë

0
109

Në dekadën e fundit është shtrenjtuar jetesa në Kosovë. Dhjetë vjet më parë, çmimet e produkteve ushqimore dhe të shërbimeve të tjera kanë pasur tjetër peshë monetare. Pothuajse çdo produkt është shtrenjtuar, disa mbi 100 për qind.

Dhjetë vjet më parë, sipas të dhënave të Agjencisë Kosovare të Statistikave, 1 kilogram miell kushtonte 0.25 euro, ndërsa tani mesatarisht ka kushton 0.42 euro apo 0.17 euro më shumë. Krahas miellit, në dhjetë vjetët e fundit është shtrenjtuar edhe buka. Një bukë 500 gramësh, kushtonte mesatarisht 0.27 euro, ndërsa tani kushton mesatarisht 0.39 euro.

Halit Xoxa, kryetar i Shoqatës së Furrtarëve, thotë se arsyet janë shumë të thjeshta. “Ngritja e çmimi të miellit, i derivateve dhe rrogat e punëtorëve e gjithçka tjetër ka bërë që edhe ne t’i rrisim çmimet e bukës. Shporta e konsumatorit në përgjithësi është rritur 100 për qind në dhjetë vjetët e fundit”, thotë Xoxa.

Ngjashëm është shtrenjtuar edhe orizi që, sipas të dhënave të Agjencisë, nga viti 2002 është shtrenjtuar për 0.34 euro. Në vitin 2002, çmimi i një kilogrami mesatarisht ishte 0.96 euro, ndërsa tani është mesatarisht 1.30. Edhe mishi i gjedhit është shtrenjtuar dukshëm. Një kilogram mish gjedhi tani është për 1.42 euro më i shtrenjtë. Mishi i pulës është shtrenjtuar për 0.57 euro. Edhe qumështi është shtrenjtuar për 0.23 euro. Për 0.27 euro është shtrenjtuar edhe jogurti.

“Rritja e kostos së prodhimit, të ambalazhit, derivateve të naftës e shumë faktorë të tjerë që janë të domosdoshëm për prodhimet tona ka bërë që edhe qumështi, edhe prodhimet e tij të shtrenjtohen në dhjetë vjetët e fundit”, thotë Milazim Berisha, kryetar i Shoqatës së Prodhuesve të Qumështit.

Vezët kanë pasur një ngritje rekorde. 30 kokrra vezë tani janë më shtrenjtë për 1 euro. Vaji ushqimor është shtrenjtuar gjithashtu. Një litër tani kushton 1.52 euro apo 0.40 euro më shtrenjtë se 10 vjet më parë. Edhe çmimet e pemëve janë ngritur. Kilogrami i bananes tani kushton 0.14 euro më shtrenjtë. Ulje të çmimeve kanë pasur këtë vit vetëm patatet, të cilat patën këtë vit mbiprodhim dhe problem me shitjen e tyre jashtë vendit. Këtë vit patatet janë shitur për 0.30 euro kilogrami.

Sheqeri që para 10 viteve kushtonte fiks 0.50 euro, tani kushton gati përgjysmë më shtrenjtë, apo 0.92 euro. Edhe kilogrami i kafes është shtrenjtuar për 1.47 euro, por jo edhe sa është shtrenjtuar çaji. Kilogrami i çajit në vitin 2002 kushtonte mesatarisht 3.33 euro, ndërsa tani kushton 5.05 euro apo 1.70 euro më shtrenjtë. Edhe birrat janë shtrenjtuar për mesatarisht 0.10 euro. Shtrenjtim të madh kanë pësuar cigaret. Ky produkt i domosdoshëm për një pjesë të madhe të kosovarëve është shtrenjtuar më shumë se 100 për qind. Cigaret dikur kushtonin mesatarisht 0.50 euro një paket, ndërsa tani mesatarisht kushtojnë 1.08 euro apo 0.58 euro më shtrenjtë.

Edhe rryma është shtrenjtuar. Kilovati i rrymës në dhjetë vitet e fundit është shtrenjtuar për 50 për qind. 1 kilovat kushtonte 0.04 euro ndërsa tani 0.06 euro. Druri për ngrohje është shtrenjtuar për afro 5 euro për metër kub.

Ngritje të çmimit kanë pësuar edhe derivatet. Benzina është shtrenjtuar për 0.52 euro, ndërsa nafta për 0.61 euro. Së fundi është shtrenjtuar edhe gazeta “Koha Ditore”. Në vitin 2002 kushtonte 0.30 euro, ndërsa nga e mërkura kushton 0.50 euro.

Fatmirësisht edhe pagat janë ngritur në 10 vjetët e fundit. Të ardhurat mesatare në vitin 2002 ishin rreth 192 euro, ndërsa tani janë gati 300 euro./koha/kohaislame

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here