Falsifikime të shumta për të përfituar subvencione në bujqësi

0
57

Numri i madh i fermerëve që janë zënë duke deklaruar rrejshëm të dhënat e paraqitura në aplikacionet për subvencionet nga Ministria e Bujqësisë ka shtyrë këta të fundit që të ndryshojnë sistemin e kontrollimit. Zyrtarë të kësaj ministrie kanë thënë se këto masa të ndërmarra janë duke vonuar procesin e dhënies së subvencioneve të reja. Për këtë vit janë ndarë më shumë se 17 milionë euro mbështetje për shumë sektorë të bujqësisë.

Bujqit, të cilët i plotësojnë kushtet për të marrë mbështetje nga shteti, do të kenë në dispozicion 17.6 milionë euro që do të ndahen për subvencionim, si grante dhe investime.

Nga kjo shumë 7.6 milionë do të ndahen për subvencionim, 5 milionë për grante dhe 5 milionë për investime.

Zyrtarë të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural kanë thënë se në listën e përkrahjes janë futur edhe disa varietete që deri më tani nuk kanë qenë të mbështetura.

Edhe pse shumë bujq janë ankuar në vonesat sa i përket subvencioneve, zyrtarë të Ministrisë së Bujqësisë thonë se janë tendencat e mëdha të vetë fermerëve për të mashtruar si faktor kryesorë për vonesat në procesin e dhënies së subvencioneve.

E kjo ka shtyrë që nga 50% e kontrolleve që është bërë deri tash, të bëhet 100% në terren.

Vetëm vitin e kaluar 2.892 fermerë janë zënë duke i deklaruar rrejshëm sipërfaqet e mbjella dhe numrin e krerëve të bagëtisë.

Rritja e përkrahjes në sektorin e bujqësisë ka ndikuar edhe në rritjen e numrit të bujqve aplikues.

Sipas të dhënave të deritashme të ministrisë, numri i aplikuesve për lopët qumështore vitin e kaluar ka qenë 4.363, kurse këtë vit ka arritur në 5.339.

Për kafshët e imëta vitin e kaluar ka pasur 1.442 aplikues, sivjet janë 1.503.

Tek bletaria, e cila sivjet përkrahet për herë të parë, kanë aplikuar 1.100 kultivues.

Situata ka ndryshuar vetëm tek aplikacionet për mbështetje të sipërfaqeve me grurë, për të cilin vitin e kaluar kanë aplikuar 10.953 fermerë, kurse këtë vit ka 9.575 aplikacione dhe e gjithë kjo për shkak të digjitalizimit të sistemit të parcelave.

Kjo ministri ka në plan të hapë edhe një rund të ri të aplikimit pas qershorit të këtij viti, me çka do të zgjerohet gama e përkrahjes së sektorëve të bujqësisë./koha/kohaislame

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here